Tiranë 28 Prill 2017 -  Sot në mëngjes, ALO 116 – Linja Kombëtare e Telefonit për Femijët në Shqipëri, organizoi një takim të hapur për prezantimin e të dhënave të këtij shërbimi në mbrojtje të femijëve në Shqipëri për vitin 2016, si dhe një raport analitik me të dhëna për 10 vjet në lidhje me dhunën ndaj femijëve në Shqipëri. Pjesmarrës në takim ishin autoritetet publike, OSHC-të, ekspertë, profesionistë të mbrojtjes së fëmijëve, prindërit, fëmijët etj.

Gjatë takimit  u prezantuan të dhënat dhe gjetjeve  që ALO 116 disponon përgjatë punës së saj për mbrojtjen e femijëve. Numri total i telefonatave për 8 vite është 603.408. Numri total i rasteve të trajtuara për 8 vite është 14.657. Ndërkohë nga të gjitha rastet e trajtuara, 6922 janë raste të abuzimit, dhunës dhe shfrytëzimit të fëmijëve. Fomat e raportuara të dhunës përfshijnë dhunën fizike, emocionale, seksuale, neglizhimin dhe  bullizmin.

Analiza e të dhënave një vjeçare për vitin 2016, prezantimi i Rastit të Tiranës , si rast studimor dhe si pikënisje për analizën e të dhënave në çdo rajon,  prezantimi i të dhënave mbi dhunën dhe abuzimin e fëmijëve në Shqipëri, hodhën dritë mbi  kategoritë e rasteve të dhunës, abuzimit dhe të shfrytëzimit të fëmijëve në Shqipëri, mbi mënyrën e trajtimit të rasteve, bashkëpunimit me institucionet e tjera, etj.

Takimi kërkonte të nxiste hartimin e politikave të reja publike në drejtim tё parandalimit tё të gjithë formave të dhunёs tek fёmijёt, si dhe krijimit të një baze të qëndrueshme të dhënash për vlerësimet e ardhshme.  Ky takim u realizua në kuadër të intensifikimit të përpjekjeve të ALO 116 dhe institucioneve që ajo bashkëpunon, për të mbrojtur fëmijët nga të gjitha format e abuzimit dhe shfrytëzimit, në secilin nga mjediset ku fëmija qëndron. 

Gjithashtu,  ky aktivitet u zhvillua në kuadër të 1-vjetorit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes ALO 116 dhe Agjensisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, e cila  synon të mbrojë çdo fëmijë në situatë emergjence dhe rreziku.

Së fundmi, në këtë aktivitet të 10 vjetorit të shërbimeve telefonike për fëmijët në Shqipëri, përgjatë një dite,  u diskutuan  dhe u dhanë rekomandime mbi ngritjen,  përmirësimin dhe monitorimin e shërbimeve, përmirësimin e legjislacionit  përkatës si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të aktorëve socialë për fenomenin e abuzimit dhunës dhe shfrytëzimit të fëmijëve në Shqipëri.

Për më tepër informacion ju mund të kontaktoni:

Mirgit Vataj - Menaxher i Përgjithshëm i ALO 116 Shqipëri
Tel: 0675002024
E-mail: mirgit.vataj@alo116.al