Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve të Humbur në Shqipëri numërohen rreth 40 raste

ALO 116 000-Linja Kombëtare për Fëmijët e Humbur, i kërkon të gjitha agjensive ligj-zbatuese në vend që të rihapin çështjet e pazgjidhura të fëmijëve të humbur në Shqipëri. Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve të Humbur, kjo Linjë, risjell në kujtesë rastet ende të pazgjidhura të vogëlushëve shqiptarë që janë larguar nga familjet e tyre dhe që konsiderohen të humbur.

Duke risjellë në kujtesë rastet e denoncuara edhe më parë të fëmijëve,  Bleona Mata, Marteo Bejaj, Juljan Çela, Isa dhe Mirjeta Matmuja, ALO 116 000, shpreh shqetësimin e saj se këta fëmijë jo vetëm nuk janë gjendur ende nga autoritetet shqiptare, por edhe çështjet e tyre  kanë mbetur pezull.

Në vijimësi, Linja Kombëtare ALO 116 000 i kërkon Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë Shqiptare që të rihapin çështjet duke intensifikuar hetimet dhe kërkimet për fëmijët e humbur në vend.

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve të Humbur, vijnë edhe shifrat shqetësuese për rastet e fëmijëve të humbur në vendin tonë. Përgjatë vitit 2017 Linja ALO 116 000-Linja e Këshillimit për Fëmijët e Humbur në Shqipëri ka trajtuar rreth 40 raste. 32 prej tyre janë fëmijë të cilët janë larguar nga shtëpia për shkak të problemeve që ndeshin në mjedisin familjar, 8 raste të fëmijëve të humbur të cilët janë gjendur brënda 24 orëve dhe një rast rrëmbimi prindëror.

Në këtë ditë, Evropa numëron rreth 5621 raste të fëmijëve të humbur gjatë vitit 2017, të cilët janë trajtur nga Rrjeti i Linjave Telefonike për Fëmijët e Humbur në Europë. Nga këto raste, rreth 57.2% e tyre largohen ose ikin nga shtëpia përkohësisht. Fëmijët e rrëmbyer nga një prind përbëjnë grupin e dytë më të madh me 23.2% të rasteve. Kjo tregon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar që duhet të kenë të gjitha qeveritë, linjat telefonike, organet e zbatimit të ligjit dhe autoritetet të tjera për mbrojtjen e fëmijëve.

Në vitin 2017, 46% e fëmijëve të humbur që u raportuan në linjat telefonike në Evropë u gjetën brenda vitit. Edhe pse ka patur një rritje të ndjeshme në numrin e fëmijëve të gjetur, shumica e fëmijëve që nuk u gjetën të gjallë ishin fëmijë të larguar nga familja apo institucionet rezidenciale për shkak të problemeve të ndeshura në këto mjedise.

Përqindja e fëmijëve që largohen në mënyrë të përsëritur nga mjedisi familjar apo nga institucionet është rritur nga 15% në vitin 2016 në 16% në vitin 2017. Kjo tregon probleme të vazhdueshme në familjet e këtyre fëmijëve apo institucionet e kujdesit. Hulumtimet tregojnë se sa më shumë fëmijë largohen, aq më shumë ata ekspozohen ndaj rreziqeve serioze për jetën e tyre sepse janë të detyruar të përdorin strategji të rrezikshme për të mbijetuar, siç janë fjetja në rrugë, lypja, përfshirja në shfrytëzimin seksual etj. Kjo gjithashtu korrespondon me të dhënat nga linjat telefonike evropiane ku fëmijët që largoheshin dëshmuan në shumicën e rasteve se kishin përjetuar dhunë, abuzim dhe shfrytëzim.

Rrjeti Missing Children Europe (MCE) është një rrjet evropian për fëmijët e humbur dhe të shfrytëzuar seksualisht i cili përbëhet nga 31 organizata nga 27 vende evropiane.

ALO 116 000 është anëtare më të drejta të plota e këtij rrjeti që prej vitit 2015.