Tiranë, 25 Korrik 2018 - Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijë ALO 116, për dy ditë radhazi, trajnoi punonjësit për çështjet më të rëndësishme dhe delikate të punës së tyre të përditshme.

Në trajnim morën pjesë 8 punonjës, pjesë e stafit të ALO 116 dhe 2 vullnetarë. Trajnimi u fokusua ne menaxhimin e rasteve që vijnë në Linjën Komëbtare të Ndihmës për Fëmijë.

Fokusi kryesor i këtij trajnimi ishte Menaxhimi i rasteve të Këshillimit, rregullat dhe teknikat bazë që duhet të ndiqen në këtë fushë. Po ashtu edhe identifikimi dhe menaxhimi i rasteve të abuzimit online të fëmijëve.

Stafi I ALO 116 u trajnuan për mënyrën se si duhet të presin telefonatat, si duhet të kenë një dëgjim aktiv të tyre dhe përgjigje të duhura për trajtimin e rasteve të veçanta. Një vend të veçantë zuri në trajnim edhe vlerësimi i rasteve dhe menaxhimi shumë i kujdesshëm i telefonatave që konsiderohen të vështira. Si duhet të sillen me fëmijët e viktimizuar dhe që i kanë mbijetuar dhunës seksuale, me fëmijë përdorues të drogës dhe alkoolit por edhe për fëmijë apo adoleshentë që përjetojnë situate emocionale kritike.

Ndërsa për format e abuzimit në internet, trajnimi u fokusua në fushat e Cyber-bulling Grooming - Manipulimi përgatitor i fëmijës, hakerimi, varësia nga internet, përmbajtja e papërshtatshme, Sexting-Shkrimi i mesazheve erotike me natyrë seksuale, etj.

Menaxhimi i rasteve Për Linjën Kombëtare të Ndihmës për Fëmijë ALO 116, është një proces që i mundëson stafit të koordinojnë shërbime të shumëfishta me qëllim që të parandalojnë ose minimizojnë fragmentimin e tyre dhe të lehtësojnë funksionimin dhe mirëqenien e klientit

Kur bëhet fjalë për menaxhimin e çështjeve në lidhje me mirëqenien e fëmijës, qëllimi kryesor i ndjekjes së këtij procesi është identifikimi i ofruesve dhe ndërhyrjeve të përshtatshme në të gjithë rangun e shërbimeve sociale, psikologjike, shëndetësore dhe të shërbimeve të tjera që do të fokusohen në rritjen e rezultateve pozitive për fëmijët dhe familjet.