Sot, me datë 12 Dhjetor 2016, Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë - ALO 116 dhe Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve – CRCA, prezantuan Platformën Kombëtare për Sigurinë e Fëmijëve në Internet WWW.ISIGURT.AL dhe aplikacionin telefonik “ISIGURT”.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte njohja e të gjithë partnerët socialë të interesuar me këtë mekanizëm të rëndësishëm të sigurisë online të femijëve. Platforma www.isigurt.al ka si mision kryesor të saj bashkërendimin e përpjekjeve për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima të abuzimit dhe dhunës në internet, për të identifikuar dhe bllokuar materialet e paligjshme dhe ato me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet.

Platforma synon të nxisë raportimin e faqeve të paligjshme dhe përmbajtjet e padëshiruara dhe kjo platformë do të shërbejë edhe si një qendër burimore informacioni, studimesh, manualesh dhe udhezuesish për prindërit, mësuesit dhe të gjithë profesionistët për çështje që kanë të bëjnë me internetin e sigurt për fëmijët. Aplikacioni telefonik “ISIGURT” do të jetë në dispozicion të të gjithë të interesuarve për t’u informuar dhe për të raportuar mbi çështjet e sigurisë online të fëmijëve.

Në takim u prezantua ndër të tjera edhe raporti tematik i ALO 116 referuar çështjeve të sigurisë online të fëmijëve. Në raport përshkruhen ndër të tjera gjetjet kryesore të punës së ALO 116 me rastet e cyberbulling, sexting, talljeve online, materialeve me përmbajtje të papërshtatshme, materialeve me përmbajtje pornografike, viruset dhe spam-et, njohje me njerëz të panjohur, sms me përmbajtje të papërshtatshme etj.

Gjithashtu, në takim u prezantua fushata ndërgjegjësuese e ALO 116 në institucionet arsimore. Në këtë seksion u ndanë eksperienca, gjetje dhe rekomandime drejtuar mësuesve dhe prindërve mbi çështjn e e sigurisë online të fëmijëve dhe mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e dhunës abuzimit dhe shfrytëzimit online.

Për më shumë informacion, kontaktoni: ALO 116 Shqipëri, e-mail: alo116@crca.al