Rrjeti Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve i kërkon zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë miratimin me urgjencë të ndryshimeve në Kodit Penal

Tiranë, 30 Maj 2018 – Komisioni Parlamentar për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë mori sot në shqyrtim në një seancë urgjente kërkesën e organizatave të shoqërisë civile për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga dhuna e grabitqarëve seksuale në Shqipëri.

Në prezantimin e tij të parë publik, Rrjeti Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve: “VEPRO PËR FËMIJËT”, i paraqiti sot kërkesën zyrtare Komisionit të Çështjeve Sociale për miratimin sa më të shpejtë të ndryshimeve ligjore në Kodin Penal Shqiptar për mbrojtjen e fëmijëve dhe të të rinjve ndër të tjera edhe nga dhuna seksuale, ngacmimet, pedofilia dhe shfrytëzimi në internet!

Të raportuara në platformëm www.ISIGURT.al, deri më tani kemi rreth 150 raste të ngacmimeve seksuale në rrjetet sociale, prej tyre 51 ekspozim ndaj imazheve e materialeve me përmbajtje seksuale, 74 raste cyber bulling, 13 bulizëm nëpërmjet celularit si dhe 8 raste sms e postime ofenduese dhe 4 raste shqetësuese të pornografisë së fëmijëve në internet .

“Grabitqarët seksualë nuk presin! Ata janë në kërkim të viktimës së tyre të rradhës! Në këtë moment që ne po flasim një fëmijë po ngacmohet dhe abuzohet seksualisht në internet, ndërsa ligji nuk e mbron atë nga kjo formë e dhunës!” – tha  në emër të Rjetit “Vepro për Fëmijët”, Altin Hazizaj - Drejtori i CRCA.

Rrjeti Kombëtar “VEPRO PËR FËMIJËT”, vjen si një iniciativë e Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), në bashkëpunim me Linjën Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë (ALO 116), ECPAT Shqipëri, Koalicionin për Arsimin në Shqipëri (ACE), Qendrën “Fëmijët Sot” dhe Rrjetin Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN).

Rrjeti do të adresojë, shkeljet e rënda dhe të vazhdueshmë të të drejtave të fëmijëve nga institucionet publike. Ai do të avokojë respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, nëpërmjet nismave legjislative, përmirësimit të politikave, informimit dhe krijimit të shërbimeve kombëtare dhe vendore për fëmijët, studimeve dhe vëzhgimeve për situatën e fëmijëve, si dhe përgatitjes së raporteve monitoruese dhe alternative mbi gjendjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.