Tiranë, 22 Qershor 2018 - Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijë ALO 116-111, hapi sot konkursin kombëtar me video-punime “UNË dhe ALO 116-111”. Konkursi është i hapur për fëmijët dhe adoleshentët nga e gjithë Shqipëria duke kërkuar që t’i angazhojë ata gjatë pushimeve verore për të krijuar video dhe materiale filmike kreative me mesazhe frymëzuese.

Ky konkurs ka si qëllim që të nxisë pjesëmarrjen e fëmijëve, që ata të shprehin pikëpamjet, mendimet dhe të dëgjohen rreth çështjeve që i prekin ata. Ne duam të njohim pritshmëritë dhe shqetësimet që fëmijët dhe adoleshentët kanë në jetën e tyre dhe që ata duan t’i ndajnë për Linjën e Ndihmës dsë Fëmijëve ALO 116-111.

Përmes këtij konkurrimi fëmijët dhe adoleshentët nxiten që të realizojnë materiale filmike (video) nga jeta e tyre e përditshme, duke luajtur, në momentet e gëzueshme, në parqe, hapësira argëtimi, në plazh, nga shkolla, në vizitat e tyre në qytete të tjera, në lagjen e tyre, vetëm apo me fëmijë e adoleshentë të tjerë etj. Me këtë rast fëmijët mësojnë edhe se si të përdorin teknologjinë për t’u angazhuar në kauza sociale dhe për t’u angazhuar për të drejtat e tyre.

Videot duhet të realizohen nga vetë fëmijët dhe adoleshentët. Për të gjithë ata që nuk mund ta realizojnë vetë videon për shkaqe objektive, mbështetja e prindërve është mëse e pranueshme. Materialet filmike mund të jenë të një fëmije, por edhe një grupi fëmijësh dhe adoleshentësh. Gjithashtu këto video mund të jenë të realizuara edhe nga fëmijë dhe adoleshentë të qendrave ditore dhe institucioneve rezidenciale. Materialet filmike mund të jenë gjithashtu mesazhe mbështetjeje për fëmijët e tjerë, mund të jenë këshilla, kritika, sugjerime, etj. Fëmijët dhe adoleshentët mund:

  • të ndajnë përvojën e tyre me Linjën Kombëtare të Ndihmës për Fëmijët ALO 116-111.
  • të shprehen për pritshmëritë që ata kanë nga ALO, pra çfarë mund të bëjë shërbimi ynë për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët;
  • të tregojnë nëpërmjet eksperiencave të tyre se si Alo 116-111, mund të mbrojë fëmijët dhe adoleshentët.

Materialet filmike mund të jenë të regjistruara me zë, më figurë, mund të jenë të animuara, të titruara, si dhe çdo mënyrë tjetër innovative që e krijojnë vetë fëmijët dhe adoleshentët.

Konkursi udhëhiqet nga disa rregulla bazë, që duhen ndjekur nga çdo konkurent, fëmijë dhe adoleshent, të cilat janë:

  • Të gjitha video-mesazhet e regjistruara duhet të realizohen në vende të sigurta. Asnjë material filmik, nuk duhet të vendosë në rrezik sigurinë fizike apo emocionale të fëmijëve dhe adoleshentëve;
  • Videot duhet të dërgohen pranë ALO-s me autorizimin me shkrim të njërit prej prindërve (autorizimi shkarkohet këtu), dhe një numër kontakti të prindërve apo kujdestarit të fëmijëve dhe adoleshentëve, nëpërmjet të cilit ne mund të verifikojmë autorizimin e dhënë. Autorizimin prindërit duhet ta printojnë dhe pasi ta plotësojnë mund t’i bëjnë fotografi apo ta skanojnë dhe të na e dërgojnë bashkë me videon në numrin e celularit të vendosur në dispozicion për dërgimin e videove ose me email.
  • Materialet filmike që do të vijnë drejt ALO 116, nuk duhet të jenë më shumë se 60 sekonda.

Konkursi do të qëndrojë i hapur nga data 22 Qershor deri më datën 31 Gusht 2018. Videot që do të ngarkohen do të publikohen në mënyrë periodike në kanalet tona të komunikimit dhe mediat sociale:

Facebook: https://www.facebook.com/ALO116/

Twitter: https://twitter.com/alo116albania

Faqen zyrtare të ALO 116: www.alo116.al

Një juri e përzgjedhur dhe e përbërë nga profesionistë të fushës, do të caktojnë edhe video-mesazhet fituese. Materialet filmike (video) fituese, do të përzgjidhen bazuar në mesazhin që përcjellin, idetë inovative që i propozozojnë ALO-s për t’u angazhuar me fëmijët apo edhe mënyrën se si janë realizuar.

ALO 116-111 do të japë çmimet për 3 nga videot e vlerësuara nga juria. Për fëmijët dhe adoleshentët fitues do të ofrohen këto dhurata: Çmimi i 1-rë dhe i 2-të nga një Tabletë dhe Çmimi i 3-të një aparat fotografik. 

Videot mund të dërgohen nëpërmjet Viber dhe Whats-App në numrin e celularit: +355675002025 ose me e-mail në adresën tonë zyrtare: alo116@alo116.al

Për cdo pyetje, ju lutem na shkruani në adresën: alo116@alo116.al ose na telefononi falas në numrin e ALO-s: 116-111