Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë- ALO 116, që nga Tetori 2017 ka hapur dhe zhvilluar fushatën informuese dhe ndërgjegjësuese në sistemin arsimor me fokus Mbrojtjen e Fëmijëve. Deri në fund të fazës së parë janë vizituar më shumë se 22 shkolla fillore dhe 9-vjeçare në Tiranë.

Fushata është mbështetur nga Ministria e Edukimit, Rinisë dhe Sporteve, Unicef Shqipëri dhe është koordinuar nga Linja Kombëtare e këshillimit për Fëmijë- ALO 116. Qëllimi i fushatës ndërgjegjësuese ishte promovimi i shërbimeve që ofron ALO 116.

Fushata ka shërbyer njëkohësisht për të promovuar burime të rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve, për të raportuar rastet e dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve, për të raportuar përmbajtje të papërshtatshme dhe të jashtëligjshme për fëmijët, etj. Burimet që u përmendën ndër të tjera ishin ALO 116, “Platforma Kombëtare e Internetit të Sigurt për Fëmijët” WWW.iSIGURT.al dhe aplikacioni telefonik ISIGURT.

Kështu, rreth 6000 fëmijë dhe më shumë se 200 mësues nga Tirana janë informuar mbi çështje të të drejtave të fëmijëve. Qëllimi ynë është që ata të aftësohen dhe të shërbejnë si një burim informimi dhe ndërgjegjësimi për fëmijët, mësuesit, prindërit dhe komunitetin për të mbrojtur fëmijët nga abuzimi, dhuna dhe shfrytëzimi.  

Aktivitetet kryesore ishin:

  • Orë të hapura ndërgjegjësuese me fëmijët, mësuesit, prindërit dhe kujdestarët në shkollat fillore dhe 9-vjeçare;
  • Shpërndarja dhe përhapja e materialeve promovuese dhe mbështetëse të “ALO 116-111”;
  • Përfshirja e Bordit të Fëmijëve të ALO 116 në fushatën ndërgjegjësuese;
  • Përfshirja e vullnetarëve sipas një skeme të mirëorganizuar dhe koordinuar;

Përgjatë periudhës Tetor- Nëntor 2017 u zhvillua edhe proçesi i rekrutimit dhe trajnimit të vullnëtarëve. Ata kanë pasur një rol të rëndësishëm gjatë fushatës ndërgjegjësuese. Vullnetarët u zgjodhën nga forume të ndryshme, grupe lokale të rinjsh, universitete, etj. U zhvilluan dy sesione trajnimi me grupin e vullnetarëve.

Aktivitetet do të shtrihen për një periudhë 4 mujore dhe do të menaxhohen nga pjestarët e stafit të ALO 116, përfshirë këshilluesit, supervizorët, menaxherët, vullnetarët dhe bordin e fëmijëve.