Shkolla dhe ALO 116

Shkolla është një institucion i sistemit arsimor. Detyrat dhe përgjegjësitë e saj lidhen me mënyrën parësore me përgatitjen e nxënësve të saj me dije, njohuri dhe kulturë që do t’i shërbejë individëve dhe shoqërisë në tërësi për të ardhmen.

Gjatë këtyre viteve tek ALO 116 janë adresuar një sërë shqetësimesh dhe problemesh që fëmijët dhe të rinjtë kanë hasur në institucionet arsimore në lidhje me shkeljen e të drejtave të tyre.

Shtrirja gjeografike e telefonatave që mbërijnë tek ALO 116 është nga e gjithë Shqipëria. Duke filluar që nga fshati më i largët, e deri tek qytetet më të mëdha të vëndit .Fëmijët telefonojnë për të shprehur shqetësimet dhe problemet e tyre pranë ALO 116 sepse janë të sigurt dhe të bindur që është dikush që i dëgjon dhe bën përpjekjet maksimale për t’i lehtësuar dhe përmisuar sadopak problemat që ata kanë.

ALO 116 flet me fëmijët në momentet më të vështira të jetës së tyre. Ne punojmë që të mbrojmë mirëqënien e fëmijës, nëpërmjet këshillimit me telefon, referimit dhe mbrojtjes pro-aktive të të drejtave të fëmijëve.

Pjesa më e madhe telefonojnë tek ALO 116 janë të shqetësuar për problemet në shkollë. Kryesisht ndër problematikat që kanë fëmijët në shkollë janë në lidhje me mësuesit, probleme akademike, ankth i performances së tyre, konfliktet me bashkëmoshatarët, kushte jo të përshtatshme në shkolla për të zhvilluar një proçes normal mësimor, braktisja e shkollës etj. Disa raportojn se janë të shqetësuar edhe për shkak të formave të abuzimit kryesisht fizik në shkolla.

Por, ka edhe një kategori tjetër që ankohet për neglizhencë nga ana e mësuesve, për mosvlersim të duhur apo për paaftësi të tyre në zotrimin e lëndës.

Vazhdon të ekzistojnë ura të dobëta  lidhëse midis komunitetit dhe shkollës. Mësuesit nuk janë të motivuar dhe të përgatitur mire për të përballur problemet e fëmijëve sipas kategorive dhe probleme specifike të tyre.

Ndaj sistemi ynë arsimor ka nevojë për ndryshime thelbësore për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të shekullit të ri, të cilat pasqyrohen në krijimin e hapsirave komunikuese në marrëdhëniet mësues-prind dhe shkollë-komunitet. Kërkesave që shtrohen, u takojnë një seri e re marrëdhëniesh midis klasë dhe “familjes” midis mësuesve dhe prindërve, ndërmjet shkollës dhe komunitetit.

Në qoftë se prindërit qëndrojnë indiferentë se çfarë ndodh në klasë, ata nuk mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre në kryerjen e detyrave. Gjithashtu, dhe vetë mësuesit nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj jetës familjare të nxënësit, në qoftë se duam një mësimdhënie të suksesshme. Thyerja e këtyre pengesave kërkon një hapje të komunitetit, për ta përfshirë natyrshëm ate në jetën e shkollës.

Mbajtja e shkollës vetem si një ambjent të mbylluar akademik sigurisht që nuk është një kontribues për mirëdukimin e fëmijëve, shëndrimi i tyre ne qendra komunitare do t’i jepte mundësi të gjithë fëmijëve që të shfrytezojnë siç duhet kohen e tyre te lirë, te shprehin talentin e tyre në fusha të caktuara dhe të socializohen me njëri-tjetrin.

Një problem shqetësues është braktisja e shkollës nga vetë fëmijët. Fëmijët tregojnë se duhet të punojnë për të siguruar kushtet e tyre minimale të jetësës, ka fëmijë që punojnë për të mbajtur familjët e tyre sepse prindërit i detyrojnë. Ajo që konsiderohet më e rëndësishme për ta është puna e jo mësimi.  Ka femijë që tregojnë se nuk besojnë tek shkolla, ata nuk e vlersojnë atë dhe nuk e shohin si një alternative për një jetesë më të mirë në të ardhmen.

Të gjithë fëmijët përfitojnë nga marrëdhëniet pozitive dhe miqësore të vendosura ndërmjet familjes dhe shkollës, tek vetë ata ngrihet në një shkallë më të lartë ndjenja e rëndësisë për shkollën dhe motivohen për të mësuar më mire.

Frtyshmëria e bashkëpunimit ndihmon në zhvillimin e personalitetit individual dhe arsimor të fëmijës si dhe përcillet mesazhi se për ata kujdesen të rriturit, persona të rëndësishëm në jetën e tyre.

Në këto kushte vlen të nënvizohet se shkolla duke qënë një structure që ndihmon në arsimimin, edukimin dhe në zhvillimin e fëmijëve, duhet të luajë një rol mjaft të rëndësishëm për të bërë të mundur zhvillimin sa më të mire psikologjik të fëmijës. 

Për të siguruar një mbështetje sa më profesionale ndaj fëmijëve del ne plan të pare:

  • Rritja e ndërgjegjësimit të personelit të shkollës, prindërve dhe komunitetit për nevojat e fëmijëve;
  • Rritja e kompetencave të mësuesve nëpërmjet kualifikimit psikosocial në mënyrë që mësuesit zotërojnë kulturë dhe metoda bashkohore që i ndihmojnë ata në punën me fëmijët;
  • Kualifikimi psikosocial ndihmon në përmisimin e aftësive komunikuese të cilat lehtësojnë dhe ndihmojnë proçesin e ndihmës për fëmijën;
  • Të vlerësohet dhe mbëshetet shërbimi psikologjik në shkolla;
  • Bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe koherent midis insititucionit të shkollës dhe ALO 116 në lidhje me trajtimin e tematikave më shqetësuese për fëmijët dhe të rinjtë në shkolla;
  • Të raportohet çdo kërkesë, nevojë e fëmijës për ndihmë nga drejtuesit e shkollës tek shërbimi ALO 116;
  • Të promovohet here pas here shërbimi i ALO 116 në shkolla nga vetë mësuesit në lidhje me çdo situate emergjente që nxënësit mund të kenë si dhe në planin ndërhyres që i bëhet çdo rasti që paraqitet tek ALO 116;