Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe organizata joqeveritare jep rezultate në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna dhe shfrytëzimi

Tiranë, 06 Shkurt 2018 – Në Ditën Ndërkombëtare për Internetin e Sigurt, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Brendshme, ranë dakord që të firmosin Planin Kombëtar të Sigurisë së Fëmijëve në Internet (2018-2020).

Ky Plan, i përgatitur me mbështetjen e CRCA Shqipëri, ka si qëllim rritjen e sigurisë së fëmijëve në internet nëpërmjet përforcimit të kapaciteteve kombëtare dhe lokale; forcimit të partneritetit Institucione - OJF – Industri për sigurinë e fëmijëve në internet; forcimit të kuadrit ligjor dhe të politikave për sigurinë online dhe ndërgjegjësimin dhe informimin për sigurinë online të  fëmijëve.

Zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ardiana Janku, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërsektorial për mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve në internet. Në fjalimin e saj ajo përmendi  përpjekjet e MSHMS për të siguruar dhe mbrojtur fëmijët si dhe  konfirmoi angazhimin e saj dhe të institucionit që përfaqëson  në zbatimin e Planit të Veprimit.

Zv. Ministrja e Arsimit, znj. Besa Shahini, nxori në pah roline institucioneve të arsimit për ndërgjegjësimin e fëmijëve për navigim të sigurt në internet. Ajo përmendi përpjekjet e MASR për përmirësimin e kurrikulave dhe ndërhyrjen e hershme nëpërmjet edukimit të të gjithë aktorëve që kontribuojnë në mirëqënien dhe edukimin e fëmijës.

Z. Altin Hazizaj, në fjalën e tij theksoi përpjekjet e deritanishme për sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve online si dhe sfidat drejt së ardhmes për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi dhe shfrytëzimi online. Ai promovoi dy burime të rëndësishme informimi dhe raportimi siç është Platforma Kombëtare për Sigurinë e Fëmijëve Online www.SIGURT.aldhe Linjën e Këshillimit për Fëmijë ALO 116-111.

Plani i Veprimit ve në qendër të vëmendjes përgjegjësinë e përbashkët për mbrojtjen e të drejtave dhe nevojave të fëmijëve online nga institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile, mësuesit, prindërit, media dhe nga industria e komunikimit teknologjik. Ai do të shërbejë si një udhërrefyes për të udhëhequr punën dhe veprimtarinë e institucioneve, organizatave, industrisë dhe të gjithë aktorëve socialë të interesuar për sigurinë e fëmijëve në Internet, përgjatë 3 viteve në vijim.

Për më tepër informacion, kontaktoni në adresën: info@crca.aldhe  alo116@alo116.al