Rrjeti Kombëtar “Vepro Për Fëmijët!” shpreh shqetësimin e tij mbi gjykimet, që shpesh vendosin në rrezik fëmijët, kur kujdestaria iu jepet prindërve të padenjë apo të papërgjegjshëm!

Tiranë, 26 Qershor 2018 – Rrjeti Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri, shpreh shqetësimin e tij mbi rastin më të fundit të vendosjes së jetës në rrezik të një adoleshenti 17-vjeçar në Berat, që sipas raporteve në media u mbajt për rreth 3 ditë i izoluar dhe i lidhur prej babait të tij, i cili sipas banorëve kishte probleme të theksuara mendore.

Tre ditë më parë në qytetin e Beratit, Policia e njoftuar nga fqinjët ka arritur të ndalojë dhunën e prindit ndaj djalit të tij 17 vjeçar, i cili ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike mbi fëmijën. Mediat bënë publike se babai i adoleshentit ishte në gjendje të rënduar mendore dhe pasi ka izoluar djalin në shtëpi, ka tentuar edhe të godasë punonjësit e policisë. Në këtë gjëndje ndërhyrja e menjëhershme e forcave të policisë ka zgjidhur situatën dhe adoleshneti është shoqëruar i sigurtë jashtë banesës së tij. Babai i djalit, i divorcuar, mbante kujdestarinë e djalit 17 vjeçar. Nuk dihen ende rrethanat që shpunë Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat të mos marrë në konsideratë gjëndjen mendore në të cilën ndodhej babai i adoleshentit, duke i dhënë atij kujdestarinë e djalit.

Rrjeti ”Vepro për Fëmijët!” me anë të kësaj deklaratë publike, i kërkon Presidentit të Republikës, Z. Ilir Meta, në funskionin e tij si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të adresojë në këtë Këshill me urgjence rastin konkret, por edhe shumë raste të tjera, ku kujdestaria e fëmijëve dhe adoleshentëve iu jepet prindërve të dhunshëm, prindërve që ushtrojnë dhunë në familje, bashkëshortëve që urdhëri i mbrojtjes i ndalon të takohen me bashkëshortet e tyre, apo si në rastin më t fundit, ku kujdestaria e fëmijës i ka kaluar një prindi me probleme mendore, të cilat mund të kishin vendosur seriozisht të drejtën e jetës së fëmijës.

Konventa për të Drejtat e Fëmijës së OKB-së, i kërkon çdo shteti palë që të marrë të gjitha masat e mundshme për të mbrojtur një ndër të drejtat bazë të fëmijës, si ajo e jetës! Në rastin në fjalë, duket qartë se gjykata në vendimin e saj ka shkelur jo vetëm kushtetutën e vendit, por edhe Konventën e Fëmijëve.

Nisur nga kjo situatë tepër shqetësuese, Rrjeti i kërkon dhe rekomandon Presidentit të Republikës, sa më poshtë:

  • Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) të nisë një hetim të gjithanshëm të gjykatësit/gjykatëses që dha vendimin e kujdestarisë për adoleshentin 17 vjeçar dhe shkaqeve që çuan në marrjen e këtij vendimi;
  • KLD të hetojë të gjitha procedurat që ndoqi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat si dhe raportet e vlerësimit të rastit;

Po ashtu KLD duhet t’i jap përgjigje pyetjeve të mëposhtme:

  • A kishte dijeni Gjykata e rrethit Gjyqësor Berat për gjendjen e rënduar mendore të babait kujdestar në momentin kur dha vendimin e kujdestarisë?
  • A përgatitën ekspertët raporte objektive dhe të vërteta, sidomos psikologu, që në parim duket të ketë ndjekur çështjen? Si është e mundur që gjendja e rënduar e prindit kujdestar nuk është vënë re në kohë?
  • A u paraqit para gjykatës dhe a kërkoi gjykata një vlerësim psikiatrik të babait të fëmijës?;
  • A ka vërejtur ndonjë shkelje përgjatë përgatitjes së raporteve të ekspertëve, sidomos të raportit të vlerësimit psiko-social?
  • Nëse Po, a është njoftuar Urdhëri i Psikologut dhe a i është kërkuar marrja e masave ndaj ekspertit psikolog dhe rishikimin e liçensës së tij;

Paralelisht me këtë ne nuk mund të rrimë pa shprehur shqetësimin tonë për mos-funksionimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijës, në të gjitha nivelet e tij. Në këtë aspekt ne kërkojmë të kemi dije prej tyre, sa më poshtë:

  • A është marrë në mbrojtje adoleshenti A.D dhe a i janë ofruar atij të gjitha shërbimet e detyrueshme nga ligji?
  • A ka bërë Shërbimi Social në Bashkinë e Beratit kërkesë pranë Gjykatës për heqjen e përgjegjësisë prindërore të babait dhunues?
  • A ka miratuar Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve në Berat dhe Agjensia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Planin Individual të Fëmijës?
  • A ka patur Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve në Bashkinë e Beratit apo Shërbimi Social i tyre të dhëna nëse ka patur denoncime për dhunë etj për babain kujdestar, para, gjatë apo pas procesit gjyqësor që i dha atij kujdestarinë e fëmijës? Nëse Po, çfarë ndodhi me to?

Së fundmi, ne duam të përgëzojmë punën e Policisë së Shtetit, e cila sapo është njoftuar nga banorët e lagjes, ka vendosur të ndërhyjë nëmënyrë të menjëhershme duke e zgjidhur situatën dhe duke marrë në mbrojtje adoleshentin.

Mbrojtja e fëmijëve është detyrë ligjore e të gjitha institucioneve publike. Sistemi i drejtësisë dhe Gjykatat anembanë Shqipërisë nuk mund të veprojnë duke shkelur të drejtat e fëmijës. Detyra e tyre është të mbrojnë fëmijët, jetën dhe mirëqënien e tyre!