Rrjeti Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve pret nga Kuvendi i Shqipërisë, që të forcojë detyrimet që ka Qeveria për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje, sidomos fëmijët dhe të rinjtë!

Tiranë, 20 Qershor 2018 – Rrjeti Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve, iu përgjigj sot në mëngjes pozitivisht ftesës së Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë për të marrë pjesë në një seancë të posaçme dëgjimore në shqyrtuar të gjitha ndryshimet  e propozuara nga Qeveria dhe shoqëria civile për përmirësimin e ligjit “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Rrjeti “VEPRO PËR FËMIJËT” që prej krijimit të tij është fokusuar tek avokatësia për përmirësimin e ligjeve që mbrojnë fëmijët dhe të rinjtë nga dhuna dhe abuzimi. Në kuadër të ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë në ligjin për dhunën në familje, Rrjeti paraqiti rekomandimet e tij për përmirësimin e projektit dhe sidomos të aspekteve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve. Rekomandimet e Rrjetit fokusohen ne 10 çështje kryesore, të cilat kërkojnë të forcojnë rolin dhe përgjegjësitë e Qeverise qendrore dhe vendore për Mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Një ndër mangësitë e evidentuara nga Rrjeti “VEPRO PËR FËMIJËT” në ligj është mungesa e mbështetjes së hapjes së programeve për eleminimin e agresionit, bulizmit dhe edukimin e sjelljeve pozitive në sistemin arsimor parauniversitar, përfshi edhe të rinjtë deri në moshën 21 vjeç, që janë ushtrues të dhunës, me qëllim rehabilitimin, riintegrimin dhe rishoqërizimin e tyre. Po ashtu u rekomandua marrja e masave që stafi pedagogjik të raportojë mbi rastet e dhunës dhe të ngrihet një sistem identifikimi, regjistrimi dhe raportimi të hershëm të dhunës së dyshuar apo të konfirmuar në familje, në të gjitha nivelet e arsimit parashkollor dhe parauniversitar, bazuar tek një formë vlerësimi dhe raportimi që plotësohet nga çdo drejtues arsimor në shkolla.

Rrjeti Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve, i themeluar në vitin 1999, ka për qëllim të forcojë respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve. Ai ka ardhur si një iniciativë e Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), në bashkëpunim me Linjën Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë (ALO 116), ECPAT Shqipëri, Koalicionin për Arsimin në Shqipëri (ACE), Qendrën “Fëmijët Sot” dhe Rrjetin Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN). Ai  sot ofron disa nga platformat dhe shërbimet më të rëndësishme kombëtare për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, abuzimi, neglizhenca dhe shfrytëzimi.