Mos-zbatimi i duhur i skemës së Ndihmës Ekonomike shkel seriozisht të drejtat e grave dhe fëmijëve në Shqipëri

Tiranë, 4 Tetor 2018 – CRCA Shqipëri me anë të këtij reagimi publik kërkon të sjellë në vëmendjen e të gjithë kryetarëve të Bashkive, Këshillave Bashkiakë dhe të Qeverisë Shqiptare, shqetësimin tonë tepër serioz mbi mos-zbatimin e duhur të Ligjit “Për Ndihmën dhe Shërbimet Shoqërore”.

Pranë Zyrës Ligjore të CRCA Shqipëri, shpesh referohen rastet e përjashtimit nga skema e ndihmës ekonomike të familjeve në nevojë. Por, rastet më të fundit të përjashtimit të nënave me shumë fëmijë apo nënave të vetmuara, po na tregojnë se zbatimi i skemës së re dhe detyrimeve që ato vendosin te familjet, shpesh, nuk janë të arritshme për nënat me shumë fëmijë apo me probleme të theksuara sociale, të cilat më pas janë përjashtuar automatikisht nga skema, pa iu bërë atyre një vlerësim serioz dhe human të rreziqeve me të cilat përballen gratë dhe fëmijët.

Rastet më të fundit, kanë të bëjnë me dy familje, të cilat janë përjashtuar nga pagesa e ndihmës ekonomike, duke i lënë dy nëna te reja pa mbështetje financiare dhe në rrezik serioz për ekzistenën e 13 fëmijëve të tyre. Rasti i parë është një nënë me 6 fëmijë mes tyre edhe një foshnjë 3 muajshe. Rasti i dytë është një familje e përbërë nga 7 fëmijë, nëna e të cilëve ka probleme të theksuara të shikimit.

Në të dyja rastet e fundit, njoftimi i nënave për përjashtimin e tyre nga marrja e ndihmës ekonomike nuk është bërë me shkrim, sipas formës së kërkuar nga ligji, dhe për më tepër asnjë nga nënat nuk është njoftuar as për të drejtën e ankimimit që ato gëzojnë dhe si rrjedhojë kanë kaluar të gjitha afatet ligjore kur ato mund të ankoheshin për të rivlerësuar vendimin e marrë ndaj tyre.

Të gjitha këto shkelje ligjore, në bindjen tonë, tregojnë mbi të gjitha natyrën jo humane të atyre që vlerësojnë raste të tilla, të cilët kanë mbi 2 javë që kanë lënë pa bukë 13 fëmijë dhe nënat e tyre! Ç’ka të bën përshtypje është se gjendja e të dyja nënave dhe kushtet e jetesës së tyre janë kaq të rënda dhe kaq të dukshme, sa është e vështirë të kuptosh se cila ishte llogjika juridike dhe humane që u ndoq për përjashtimin e tyre nga skema. Përjashtimi nga skema e ndihmës ekonomike në mënyrë arbitrare, bie ndesh me ligjin për Ndihmën dhe Shërbimet Shoqërore.

Nisur nga kjo situatë CRCA Shqipëri, kërkon adresimin e menjëhershëm të këtij problemi:

  • Njoftimin me shkrim për çdo familje që përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike;
  • Reskpektimin rigoroz të nenit 41 të ligjit për Ndihmën dhe  Shërbimet Shoqërore, që garanton të drejtën e ankimimit për çdo familje që përjashtohet nga skema;
  • Administrata e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, si organi më i lartë i zbatimit dhe politikave të legjislacionit për përfimin e ndihmës ekonomike, duhet të marrë në konsideratë dhe të rishikojë vendimet e vlerësimit të administratorëve socialë (audit) që ndodhen pranë njësive administrative bashkiake, për të eleminuar çdo rast të mos-zbatimit të duhur të ligjit;
  • Qeveria Shqiptare, Kryetarët e Bashkive dhe Këshillat Bashkiakë duhet të rishohin dhe rivlerësojnë zbatimin e skemës së ndihmës ekonomike si dhe vlerën financiare të vetë ndihmës, në mënyrë që ajo të mos kthehet në një skemë ndëshkuese të nënave më të varfëra në Shqipëri dhe rrezikimit të së drejtës bazë të jetës së fëmijëve;

Bazuar në statistikat më të fundit në Shqipëri tregojnë se rreth 80,964 familje përfitojnë ndihmë ekonomike në Shqipëri.  Fondi mesatar mujor për vitin 2017, që i jepet një familjeje është 4.211 lekë, një vlerë kjo thuajse e papërfillshme për një familje që ndodhet në kushte të rënda ekonomike, si këto që paraqitëm ne.

Askush nuk duhet të harrojë se familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, janë ato pa të ardhura, në gjendje të rënë sociale dhe ekonomike, me të ardhura të pamjaftueshme, jetimët, viktimat e trafikimit apo të dhunës në familje, fëmijët e vendosur në shërbimin e kujdestarisë etj.