1. 17 vjeçarja E., nga një fshat i Shqipërisë, kërkoi ndihmën e ALO-s për familjen e saj dhe vëllain 14 vjeçar. Babai i vajzës, në punën e tij si roje në një ndërmarrje, kishte qëlluar një person që kish hyrë në mjediset e saj për të vjedhur. Personi humbi jetën dhe familja e tij, kërkonte shpagim duke vendosur në rrezik jetën e vëllait të saj të vogël 14 vjeçar. Motra e tij kërkoi ndihmë pranë ALO 116-111 për sistemimin e vëllait, pasi ishte e pamundur që ti shpëtonte jetën në atë zonë dhe në ato kushte ku ata jetonin.
  2. “Një djalë 14 vjeçar, kërkon ndihmën e Linjës për të komunikur me babain e tij, pasi ai e dhunonte dhe e detyronte çdo ditë të dilte në rrugë për lypje. Djali shfaqej shumë i mërzitur në të gjitha bisedat telefonike, sepse dëshironte që së bashku me nënën e tij të denonconte në polici babain e tij, i cili çdo ditë kthehej në shtëpi i dehur dhe e detyronte djalin e madh të shtëpisë të dilte të punonte në rrugë.

Këto janë vetëm dy prej 698.626 telefonatave dhe 16.791 rasteve të raportuara dhe të ndjekura nga Linja e Këshillimit për Fëmijë ALO 116111 në këto 10 vite. E hapur si zyrë në 1 Dhjetor 2008, ALO në 10 vjetorin e saj, prezantoi jo vetëm prurjet e saj të këtyre viteve, por edhe të gjitha gjetjet dhe problematikat qe trajtohen në këtë linjë për fëmijët në nevojë. Dhuna, bulizmi, shfrytëzimi i fëmijëve dhe problematika të tjera, janë disa nga çështjet më kryesore që ALO 116 bën çdo ditë në punën e saj.

Nga të dhënat e mbledhura gjatë vitit 2017-2018 nga telefonatat në ALO 116-111, rezulton se thuajse 86 përqind e tyre janë kryer nga fëmijët dhe adoleshentët dhe pjesa tjetër nga persona të rritur si prindër, mësues apo edhe persona të panjohur. Vetëm gjatë vitit 2018 ALO i është përgjigjur 44.906 telefonatave dhe ka trajtuar 1027 raste.

Grup-mosha e fëmijëve që kërkojnë ndihmë pranë ALO 116111 është nga 4-18 vjeç, por moshat që mbizotërojnë janë 10-12 dhe 13-15 vjeç. Numri më i lartë i telefonatave bëhet nga fëmijët në Tiranë, Durrës, Fier dhe Shkodër.

Raporti Kombëtar i të Dhënave të ALO 116, i prezantuar sot në mëngjes nga ALO 116 në një tryeze me pjesëmarrjen e gjerë të institucioneve publike, organizatave joqeveritare dhe ekspertëve të të drejtave të fëmijëve, tregoi se abuzimit fizik është prezent ne jetën e shumë fëmijëve: 120 raste dhune në shkollë, 51 raste dhune në familje dhe 29 në komunitet. Djemtë janë më të ekspozuar në 57% të rasteve ndaj dhunës, ndërsa grup-mosha që raporton më shpesh është ajo 10-12 vjeç.

Abuzimi seksual është raportuar në 6 raste në vitin 2017 dhe në 5 raste gjatë vitit 2018, 1 rast abuzim/ngacmim seksual vjen nga shkollat dhe 4 të tjera kanë ndodhur në komunitet. Në të gjitha rastet kanë qënë vajzat ato që kanë kontaktuar ALO-n për të raportuar. Në 50 % të rasteve të raportuara viktimat e dhunës kanë qënë të grupmoshës 16-18 vjec dhe dhunuesit në 50% të rasteve janë persona të rritur jo të afërm të fëmijës. Tirana dhe Berati përbëjnë qytetet nga është raportuar më shpesh me rreth 33% të rasteve.

Bulizmi është një sjellje e zakonshme në mesin e shokëve kryesisht në shkollë. Nga raportimet pranë ALO 116, djemtë janë më të ekspozuar ndaj bulizmit me rreth 61% të rasteve. Grupmosha që ka raportuar në shumicën e rasteve është 13-15 vjeç që zë 76% të rasteve të trajtuara. Tirana dhe Shkodra janë qytetet që e kanë raportuar më shumë se 23% të rasteve. Shokët janë dhunuesit më të shpeshtë në 84% të rasteve të raportuara për vitin 2017.  Ndërsa për vitin 2018 u regjistruan 193 raste të bulizmit të trajtuara nga ALO në komunitet e shkolla.

Shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime përfitimi përbën një nga format kryesore të rasteve të dhunës, ku familjet mbajnë peshën kryesore, por pa përjashtuar të afërmit, vëllezërit apo motrat e fëmijëve. Në total gjatë 2017-2018 janë raportuar pranë ALO-s 354 raste të shfrytëzimit të fëmijëve, ku përdorimi i fëmijëve për lypësi përbën edhe numrin më të madh të rasteve. Vajzat janë viktimat kryesore të këtij fenomeni, që mbetet ende gjerësisht i përhapur dhe tepër shqetësues në Shqipëri.

ALO 116111 – Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë është një shërbim pa pagesë 24 orë çdo ditë të javës, për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë në të gjithë Shqipërinë nëpërmejt dy numrave të vënë në dispozicion: 116111 dhe 116000.  ALO 116 u lançua zyrtarisht në 1 qershor 2009. ALO  pret mesatarisht rreth 100 telefonata në ditë.

Linja e Këshillimit për Fëmijë ALO 116-111, që prej vitit 2009 mbështetet vetëm nga UNICEF Shqipëri.

ALO 116111 Shqipëri është anëtare aktive e rrjeteve kombëtare, Europian dhe botërore, si Linja Globale e Ndihmës për Fëmijët, organizatës Fëmijët e Humbur në Europë, Rrjeti Global i Fëmijëve të Humbur, ECPAT Shqipëri, Koalicioni për Arsimin në Shqipëri etj.