Tiranë, 1 Shkurt 2019 – Linja e Këshillimit për Fëmijë ALO 116 111, do të ofrojë shërbimin e saj përgjatë orareve 08.00 – 22.00. Ky shërbim do të jetë i disponueshëm për të shtatë ditët e javës. Të keqardhur njoftojmë se ky orar shërbimi kufizohet si shkak i vështirësive më të fundit që Linja Kombëtare e Këshillimit ALO 116 111 po ndesh për të garantuar shërbimin me orar të plotë për fëmijët dhe adoleshentët.

Brenda muajit shkurt ALO 116 do të vijojë me përpjekjet maksimale me partnerët e saj për të rikthyer 24/7 shërbimin aq shumë të kërkuar nga vetë fëmijët dhe prindërit.

Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë ALO 116 111 është një linjë shërbimi e krijuar që në vitin 2009, e mbështetur nga zyra e UNICEF Shqipëri dhe ofron për të gjithë fëmijët në rrezik, apo edhe ata që dhunohen e shfrytëzohen në kushte rruge, etj, këshillim dhe ndihmë falas 24/7.