Falë shërbimit 24 o​rë në ditë, ALO 116 dhe Bashkia kanë mundësi që të ofrojnë së bashku shërbime shoqërore dhe mbrojtje për fëmijët në çdo moment të ditës osë natës

Tiranë 20 Nëntor 2018 – Bashkia Tiranë dhe Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijë (ALO 116)  nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për përmirësimin e sistemit të referimit të fëmijëve në rrezik.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, ALO 116 dhe Bashkia e Tiranës me këtë marrëveshje tregojnë vullnetin e tyre për ta kthyer kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën në një qytet më miqësor dhe të sigurtë për fëmijët përgjatë 24 orëve.

Prej vitesh Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijë ALO 116 dhe Bashkia e Tiranës kanë patur një bashkëpunim të ngushtë në referimin e të gjitha rasteve që denincohen pranë kësaj linje.

Kjo marrëveshje do të krijojë tashmë institucionalizimin e bashkëpunimit, përcaktimin e angazhimeve për arritjen e objektivave dhe zbatimin e aktiviteteve që synojnë ndërtimin e një sistemi funksional dhe efektiv të mbrojtjes së fëmijëve në territorin e Bashkisë Tiranë.

Marrëveshja konsiston në përmirësimin e sistemit të mbledhjes, analizës dhe raportimit të të dhënave si dhe ndërgjegjësimit sa më të gjerë të fëmijëve, dhe publikut në përgjithësi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës në Bashkinë Tiranë. Ndërsa do të ketë një vend të veçantë edhe referimi i rasteve të fëmijëve në rrezik që raportohen pranë numrit të telefonit 116-111.

Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijë ALO 116 do të ofrojë për fëmijët nëpërmjet telefonit ndihmë emergjente dhe këshillim psikologjik falas për çdo problem dhe shqetësim që ata kanë, informacion për çështjet që fëmijët i konsiderojnë të rëndësishme dhe të referojë rastet e fëmijëve në shërbimet që ofrohen nga Bashkia Tiranë. Më pas këto referime i kalojnë Skuadrave të Terrenit dhe Njësivë të Mbrojtjes së Fëmijëve, në zonën ku fëmija është identifikuar në Bashkinë Tiranë.

Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijë ALO 116, është krijuar që në vitin 2009 dhe ofron për të gjithë fëmijët në rrezik, apo edhe ata që dhunohen e shfrytëzohen etj, këshillim dhe ndihmë falas 24/7.