Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë ALO 116 111, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, gjatë muajit Maj bënë të mundur dhurimin e 20 aparatëve tableta, një mjet ky që u kthye në të domosdoshëm për fëmijët shqiptarë për të ndjekur mësimin në distancë gjatë përiudhës së pandemisë.

Përgjatë muajit prill, Njësitë Vendore të Tiranës dhe Drejtoria e Shërbimeve Sociale në këtë bashki, arritën të përzgjedhin fëmijët, të cilët i përkisnin familjeve në nevojë dhe që si mangësi e mjeteve mësimore on-line, e kishin të pamunudr të ndiqnin mësimin në distancë. Bazuar në këtë orientim të punonjësve të bashkisë, ALO 116 111, në kuadër të projektit VioEnd, bëri të mundur sigurimin e 20 aparatëve tablet për fëmijët. Shpërndarja e këtyre tabletëve, u realizua falë ndihmës së kryetarëve të njësive vendore dhe punonjësve të tyre, si dhe impenjimit maksimal të Drejtorisë së Shërbimeve Sociale në Bashkinë Tiranë.

Pajisja e këtyre fëmijëve me mjetet mësimore të periudhës COVID -19, bëri të mundur që ata të nisin menjëherë e pa humbur kohë ndjekjen e të gjitha mësimeve sipas programit mësimor.

Projekti 'ViolEnd' nëpërmjet të cilit u mundësuan 20 tableta për fëmijët në nevojë, mbështetet nga skema e minigranteve të projektit “Fuqizimi i Shoqërisë Civile për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Fëmijëve nga Abuzimi dhe Dhuna në Shqipëri”, zbatuar nga Terre des hommes - Albania dhe ANTTARC me financim të Bashkimit Europian në Shqipëri.

Shqipëria hyri në karantinë që prej muajit mars të këtij viti dhe që prej datës 9 Mars, të gjitha institucionet arsimore publike në vend u mbyllën, duke detyruar që 571,616 fëmijë ta ndjekin arsimin e tyre nëpërmjet mësimit në distancë.