Në Ditën Botërore të Parandalimit të Abuzimit ndaj Fëmijëve, ALO 116 111 fton Ministren e Shëndetësisë, Mbrojtjes Sociale dhe UNICEF të flasin me fëmijët

Tiranë, 19 Nëntor 2018 - Në ditën Botërore të Parandalimit të Abuzimit ndaj Fëmijëve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu dhe Përfaqësuesi i UNICEF Shqipëri, z. Roberto De Berndardi, zhvilluan një takim me  përfaqësues të “Bordit të Fëmijëve” të Linjës Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë - ALO 116, ku biseduan rreth sistemit të mbrojtjes së fëmijëve.

Znj. Manastirliu, pasi dëgjoi vetë fëmijët të cilët përshkruan rastet për të cilat ata janë të detyruar t’i drejtohen ALO 116 111, theksoi se për çdo fëmijë të neglizhuar duhet të funksionojë mbrojtja e menjëhershme.

“Ti përgjigjesh një fëmije që ka nevojë për ndihmë është më shumë sesa detyrë, është përgjegjësi morale e secilit prej nesh, ndaj është e rëndësishme të dëgjosh drejtpërdrejt prej tyre nevojat, kërkesat, dëshirat për të krijuar një sistem, ku të gjithë bashkë jemi pjesë, që i mbron fëmijët, veprohet shpejt, në funksion të mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijëve”,- tha Manastirliu.

Ndërsa përfaqësuesi i zyrës së UNICEF ne Shqiperi e quajti ALO 116 si një mekanizem kyç në sistemin e mbrotjes së fëmijëve në Shqipëri. Z. De Bernardi shprehu kënaqësine e UNICEF për ndihmën që ka dhënë për konsolidimin e këtij shërbimi unik për fëmijët në Shqipëri.

Drejtori i Linjës Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë z. Mirgit Vataj theksoi se “ ALO 116 është një pikë kyçe e sistemit të shërbimeve referente për fëmijët dhe punon për përmirësimin e sistemit të mbrojtes së fëmijëve nëpërmjet advokacisë dhe mbështetjes së një sistemi që i përgjigjet fëmijëve që kanë nevojë për kujdes dhe mbrojtje”.

Fëmijët e bordit në bashkëbisedim me ministren dhe përfaqësuesin e UNICEF, dhanë mesazhin se tashmë përballë fenomeneve si bullizmi, dhuna dhe neglizhimi, shfrytëzimi i punës së fëmijëve apo edhe trafikimi i tyre, Linja Kombëtare ALO 116 111 është miku dhe psikologu i tyre më i mirë.

Më pas, Ministrja e Shëndetësisë iu drejtua ambienteve të Linjës, ku Znj. Manstirliu priti në linjë dhe ju përgjigj  për disa minuta telefonatave me fëmijët duke u njohur edhe me shqetësimet dhe dëshirat e tyre.  Duke vlerësuar punën e bërë nga ALO 116 111 për mbrojtjen dhe adresimin e çdo problematike të fëmijëve, ajo theksoi se  “Pushteti vendor, ai qendror, donatorët të gjithë bashkë duhet të punojmë çdo ditë për të krijuar një mjedis të sigurtë për çdo fëmijë sepse për ne fëmijët janë të parët”.

Gjatë këtyre 10 viteve ALO 116 111 ka pritur më shumë se 666.269 telefonata nga të cilat janë trajtuar 15.765 çështje. Vetëm gjatë këtij viti janë menaxhuar nga Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve 1105 fëmijë që kanë patur nevojë për mbrojtje nga dhuna dhe abuzimi.

Aktiviteti “Unë Flas me Fëmijët”,  erdhi në vazhdën e disa aktiviteteve që do zhvillohen në kuadër të javës së të drejtave të fëmijëve në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.