Tiranë, 1 Mars 2019-Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë- ALO 116, që nga Nëntori 2018 ka zhvilluar fazën e tretë të fushatës informuese dhe ndërgjegjësuese në sistemin arsimor me fokus Mbrojtjen e Fëmijëve. Deri në fund të fazës së tretë janë vizituar më shumë se 22 shkolla 9-vjeçare dhe gjimnaze ne disa prej qyteteve kryesore te Shqipërisë. Fushatat u zhvilluan në Tiranë, Kukës, Shkodër, Peshkopi, Burrel, Gjirokastër dhe Korcë.

Kjo fushatë është mbështetur nga UNICEF Shqipëri dhe është koordinuar nga Linja Kombëtare e këshillimit për Fëmijë- ALO 116. Edhe kësaj rradhe fushata ndërgjegjësuese kishte synim të informonte dhe ndërgjegjësonte fëmijët dhe të rinjte mbi të drejtat e fëmijëve dhe shërbimet që ALO 116. Ajo zhvillohet në formën e një ore ndërgjegjësuese dhe bashkëbisedimi të lirë midis fëmijëve dhe stafit të ALO 116, me qëllim njohjen e Linjës Kombëtare të Këshillimit të fëmijëve – ALO 116.

Pas prezantimit të punës së ALO 116, misionit, qëllimit nisi seanca pyetje-përgjigje ku nxënësit nxiten që të flasin për shqetësimet, opinionet dhe këndvështrimet e tyre në lidhje me cështjet e fëmijëve dhe sigurinë në internet.

Kështu, rreth 1500 fëmijë dhe më shumë se 60 mësues në disa qytete të Shqipërisë janë informuar mbi çështje të të drejtave të fëmijëve. Qëllimi ynë është që ata të aftësohen dhe të shërbejnë si një burim informimi dhe ndërgjegjësimi për fëmijët, mësuesit, prindërit dhe komunitetin për të mbrojtur fëmijët nga abuzimi, dhuna dhe shfrytëzimi.  

Aktivitetet kryesore ishin:

  • Orë të hapura ndërgjegjësuese me fëmijët, mësuesit, prindërit dhe kujdestarët në shkollat 9-vjeçare dhe në arsimin parauniversitar;
  • Shpërndarja dhe përhapja e materialeve promovuese dhe mbështetëse të “ALO 116-111”;

Kjo fushatë pati feedback shumë poztiv tek të gjithë nxënësit dhe mësuesit në shkolla të ndryshme. Shumë prej tyre nuk kishin dëgjuar më parë për ALO 116 dhe interesi ishte shumë i madh për të marrë informacionin e duhur për shërbimet që ofrohen në Linjën e Këshillimit, gjithashtu shfaqën interes për të telefonuar në vijim për të ndarë problematikat e tyre.