ALO 116-000 hapi sot fushatën e saj një-javore për ndërgjegjësimin e publikut dhe institucioneve për çështjen fëmijëve të humbur. Të dhënat tregojnë për një 7-fishim të numrit të fëmijëve të humbur në Shqipëri!

Tiranë, 25 Maj 2015 – ALO 116 000: Linja Kombëtare për Fëmijët e Humbur, në kuadër të 25 Majit - Ditës Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur, bëri sot publik Raportin Tematik “Fëmijët e Humbur në Shqipëri”, i cili pasqyron të dhënat mbi çështjen e fëmijëve të humbur në Shqipëri, bazuar tek telefonatat dhe rastet e trajtuara gjatë një periudhe 4 vjeçare në ALO 116 000 dhe të dhëna të Policisë së Shtetit. Konkuzioni kryesor i Raportit është se numri i rasteve të fëmijëve të humbur apo larguar nga mjedisi familjar/kujdestar për periudhen 2009-2014 është rritur 7-herë. Fëmijët vajza dhe fëmijët nën 14 vjeç janë më të ekspozuar ndaj fenomenit të humbjes, rrëmbimit dhe trafikimit.

Çdo ditë në botë humbasin rreth 22.000 fëmijë apo 8 milion fëmijë në vit. 1 në 7 fëmijë të humbur ka më tëpër gjasa që të bëhët viktimë e trafikimit dhe shfrytëzimit. 30% e viktimave të trafikut ndërkombëtar të fëmijëve janë me origjinë nga vendet e Europës Juglindore. ALO 116-Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë raporton se çdo ditë një fëmijë mendon të largohet apo është larguar nga shtëpia në Shqipëri. Arratisja apo largimi nga shtëpia e fëmijëve dhe adoleshentëve nga disa orë në disa ditë është forma më e përhapur e manifestimit të refuzimit që fëmijët në Shqipëri i bëjnë situatave familjare, dhunës, abuzimit dhe neglizhimit.

25 Maj - Dita ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur, është një ditë ku njerëzit dhe shoqëria në mbarë botën kujtojnë fëmijët e humbur, ata fëmijë të cilët kanë qënë viktima të trafikimit, shfrytëzimit dhe abuzimit, si dhe mbeshtesin përpjekjet e familjarëve për të gjetur fëmijët e tyre. Qëllimi kryesor i Ditës Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur është të inkurajojë të gjithë institucionet dhe shoqërinë që të mendojnë për fëmijët e humbur dhe për të përhapur mesazhe shprese.

Ne shpresojmë që ky raport të sjellë sado pak në vemendjen e medias, institucioneve dhe shoqërisë civile çështjen e fëmijëve të humbur, e cila nuk përmendet shpesh në politikat shtetërore, pavarësisht nevojës për vëmëndje të veçantë që ky fenomen ka.