Tiranë, 31 Maj 2020 – Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë ALO 116111 falë një bashkëpunimi profesional me ekspertët e policisë hetoi dhe identifikoi pjesëtarët e rrjetit të pedofilisë që u arrestuan vetëm një ditë më parë.

ALO 116111 pas një raportimi anonim mbi një video me përmbajtje pornografike me të mitur, në bashkëpunim të ngushtë me sektorin e Krimit Kibernetik pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë, nisën hetimet mbi identifikimin e posueduesit të këtij materiali dhe viktimës së saj.

Materiali video i cili ishte publikuar në një prej platformave sociale në internet, përmbante dhunën seksuale të ushtruar ndaj një fëmijë.

Ekspertët e ALO 116111, isigurt.al dhe ata të Policisë, arritën të bllokojnë menjëherë publikimet dhe shpërndarjen e këtij materiali, dhe nisën njëkohësisht hetimet për të identifikuar abuzuesit.

Prej disa javësg, ekspertët e ALO 116111, punuan me të gjitha burimet e saj, duke arritur që të identifikojnë fillimisht viktimën e dhunës seksuale të shfaqur në video dhe më pas edhe abuzuesit dhe poseduesin e saj.

Informacioni i mbledhur së bashku me specialistë të fushës së krimeve kibernetike, iu përcoll organeve ligjzbatuese në Shqipëri, të cilat vijuan hetimet e tyre për të arritur deri në arrestimin e të gjithë personave dhe parandalimin e vijimësisë së këtij krimi.

Që prej muajit mars 2020 deri më tani pranë ALO 116111, janë raportuar mbi 80 materiale me përmbajtje pornografike me të mitur, ku menjëherë pas verifikimeve nga Policia e Shtetit është konstatuar se këta fëmijë nuk janë shqiptarë, por materialet janë aksesuar nga fëmijët shqiptarë.  Të gjitha këto materiale, janë raportuar pranë institucioneve ligj-zbatuese në Shqipëri dhe tashmë janë bllokuar.

Linja e Këshillimit për Fëmijë ALO 116111, përgjatë punës së saj të përditshme, ndeshet shpesh me ngjarje të ngacmimit, abuzimit dhe dhunës seksuale ndaj fëmijëve.

ALO 116111, tërheq vëmendjen e të gjithë qytetarëve dhe opinionit publik, që të raportojnë menjëherë pranë numrit 116 111, çdo material i cili ka përmbajtje pornografike me të mitur, apo edhe çdo lloj dhune dhe abuzimi me fëmijët.

ALO 116111, është një shërbim 24 orë çdo ditë të javës dhe pa pagesë dhe i mundëson të gjithë fëmijëve, prindërve, komunitetit që të arrijnë të shprehin të gjitha shqetësimet e tyre dhe të gjejnë jo vetëm këshillim, por edhe mbrojtje në rastet e cënimit të të drejtave të fëmijëve.